Kryeministri Edi Rama pritet që në ditët në vijim të njoftojë emrat me të cilët do të bashkëpunojë në mandatin e katërt qeverisës me moton e “Shqipërisë 2030”.
I rikthyer në selinë e qeverisë një ditë më parë, agjenda e kryeministrit parashikon një listë të gjatë takimesh me ministra, funksionarë shtetërorë e partiakë, për të jetësuar kabinetin qeverisës “Rama 4”, i cili me sa duket pritet të ofrojë surpriza, jo vetëm sa i takon ministrave, por edhe vetë numrit të ministrive.
Të parët në takim kanë qenë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kreu i grupit parlamentar, Niko Peleshi, ky i fundit për të diskutuar edhe jetën parlamentare në sallën e Kuvendit.
Emra të tjerë të qeverisë janë parë të hyjnë në Kryeministri, ndërsa agjenda e kryeqeveritarit, sikurse çdo ditë, mbetet e ngjeshur me takime.
Aktualisht kabineti qeveritar “Rama 3” ka 17 ministri dhe me mjaft interes pritet përbërja e re e mbështetur tek vizioni i Edi Ramës dhe prioriteti i këtij mandati, që është integrimi evropian.
Asambleja, që pritet të mbahet në ditët në vijim, do të jetë një pasqyrë e qartë jo vetëm e mandatit të katërt, por edhe e drejtimit të partisë.
Gazetare: Denada Shkodrani
Burimi: RTSH