Kryeministri Edi Rama ka rikthyer ritmin e lartë politik pas pushimeve verore, duke nisur një seri takimesh intensive në selinë e qeverisë. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se që prej ditës së hënë, Rama është angazhuar në konsultime me anëtarë të kabinetit aktual, si dhe me përfaqësues të Partisë Socialiste në Kuvend, me synim përgatitjen e mandatit të ri qeverisës.
Edhe gjatë ditës së sotme, lëvizjet në godinën e Kryeministrisë kanë qenë të shumta. Në mesditë, kamerat fikuan momentin kur në zyrën e kreut të qeverisë hyri Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, e shoqëruar nga ish-ministri i Financave Ervin Mete. Takimi i tyre vjen mes spekulimeve për ndryshime të mundshme në strukturën e kabinetit dhe rikthimin e disa figurave të njohura në poste kyçe.
Sipas burimeve, Rama pritet të vazhdojë takimet edhe në ditët në vijim, ndërsa pritet me interes të madh shpallja e përbërjes së re të qeverisë dhe përcaktimi i drejtimeve politike të mandatit të ardhshëm. Këto lëvizje konsiderohen vendimtare, në një moment kur mazhoranca socialiste synon të konsolidojë pushtetin dhe të përcaktojë prioritetet e katër viteve të ardhshme.
Burimi: Blu TV