Metropolitan

Metropolitan është media dedikuar turizmit, destinacioneve fantastike të Shqipërisë, kulturës, gastronomisë dhe inovacionit të vendit tonë.

Copyright 2024 DC Media Group.

Kryeministri Edi Rama shpalli kabinetin e ri për mandatin e katërt qeverisës, me 17 Ministri, një prej të cilave siç nuk ka ndodhur ndonjëherë, do të jetë ministre virtuale. Tetë ministra ikin, pavarësisht se do të vijojnë angazhimet në aktivietin parlamentar, përveç Bora Muzhaqit që mbetet vetëm deputete. Pesë ministra rikonfirmohen në të njëjtat dikastere, pa ndryshime, ndërsa 4 lëvizin në Ministri të ristrukturuara. Rikthehet në kabinet dhe Elisa Spiropali.

Shefi i mazhorancës e shpalli qeverinë e re në Asamblenë e PS-së, me dy risi. Një grua në krye të Ministrisë së Brendshme, Albana Koçiu, e cila deri dje drejtonte Shëndetësinë dhe për herë të parë një ministre virtuale, Diella, deri dje asistentja virtuale në e-Albania.

Rama riktheu në kabinetin qeveritar Elisa Spiropalin, e cila lë drejtimin e Kuvendit për të marrë Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Gjashtë emra ulen për të parë në karriget e ministrave. Një kryetar bashkie, i Cërrikut deri dje, Andis Salla, do të jetë ministër i Bujqësisë.

Sofjan Jaupaj, nga zv/ministër i Mjedisit dhe Turizmit, në ministër të Mjedisit.

Besfort Lamallari, nga zv/ministër i Brendshëm në ministër të Drejtësisë.

Ervin Demo që la Bashkinë e Beratit dhe u bë deputet, nga sot do të drejtojë Ministrinë e Shtetit për Pushtetin Vendor.

Toni Gogu, i cili nuk fitoi mandat më 11 maj, do të jetë ministër Shteti për Marrëdhënien me Parlamentin.

Një tjetër grua do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, Evis Sala, e ardhur nga Italia, me përvojë të gjatë në fushën e mjekësisë jashtë vendit.

Mirela Kumbaros iu besua drejtimi i Ministrisë së Arsimit.

Turizmi, si pjesë e Ministrisë që ajo la, i kalon në kompentencë Blendi Gonxhes, në një Ministri të rikonceptuar, për Kulturën, Turizmin dhe Sportin.

Edhe Ministria e Shtetit që drejtonte Delina Ibahimaj për Sipërmarrjen dhe Biznesin shkrihet, dhe tashmë ajo do të jetë në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Pa ndryshime rikonfirmohen 5 ministra, Belinda Balluku te Infrastruktura dhe si numri 2 i qeverisë, Pirro Vengu te Mbrojtja, Petrit Malaj te Financa, dhe 2 ministret e Shtetit, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni.

Tetë ministra lënë kabinetin, Ogerta Manastirliu që u shpall kandidate për Bashkinë e Tiranës, Ervin Hoxha, Igli Hasani (i cili do drejtojë komisionin e Jashtëm), Ulsi Manja (i cili do të drejtojë Komisionin e Ligjeve), Anila Denaj, dhe 2 ministra shteti Arbjan Mazniku (të cilit do t’i besohet komisioni i posaçëm për reformën territorial), dhe Taulant Balla i cili bëhet kryetar i grupit parlamentar të PS.

E vetmja që largohet bashkë me Ministrinë që përfaqësonte, është Bora Muzhaqi, e Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

“Kjo ishte qeveria e re e eksperiencës së 12 viteve. Na priftë e mbara të gjithëve”, e mbylli fjalën Kryeministri Edi Rama pasi prezantoi kabinetin e katërt qeverisës.

QEVERIA RAMA 4

Belinda Balluku – Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës (Rikonfirmohet në detyrë)

Albana Koçiu – Ministria e Punëve të Brendshme (Ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendëson Ervin Hoxhën)

Elisa Spiropali -Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (Vjen nga drejtimi i Kuvendit dhe zëvendëson Igli Hasanin)

Petrit Malaj – Ministria e Financave (Rikonfirmohet në detyrë)

Blendi Gonxhja – Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit (Vjen nga MEKI dhe pason Mirela Kumbaron që drejtonte Turizmin)

Sofjan Jaupaj – Ministria e Mjedisit (Mbante detyrën e zv/ministrit të Mjedisit)

Mirela Kumbaro – Ministria e Arsimit (Vjen nga drejtimi i Ministrisë së Turizmit)

Evis Sala – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (Vjen nga Italia)

Delina Ibrahimaj – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (Vjen nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit)

Diella – Anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në proceset qeverisëse, një mandat për të ndikuar ritmin e proceseve të qeverisjes. Diella, shërbyesja e prokurimeve publike.

Besfort Lamallari – Ministria e Drejtësisë (Pason Ulsi Manjën. Ky i fundit do të drejtojë komisionin parlamentar të Ligjeve)

Pirro Vengu – Ministria e Mbrojtjes (Rikonfirmohet në detyrë)

Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (Kryebashkiaku aktual i Cërrikut)

Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (Pason Arbjan Maznikun)

Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë (Rikonfirmohet në detyrë)

Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për antikorrupsionin (Rikonfirmohet në detyrë)

Toni Gogu – Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin (Zëvendëson Taulant Ballën)

PROFIL/ Kush janë ministrat e qeverisë ‘Rama 4’

BELINDA BALLUKU

Ka mbajtur detyrën e Zëvendëskryeministres prej korrikut të vitit 2022 dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Më herët, nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim (2019), Znj. Balluku ka shërbyer në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL, sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë. Znj. Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” nga Harvard Kennedy School, si dhe me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror (Air Navigation Services Management).

ALBANA KOÇIU

Znj.Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Përpara kësaj detyre, Znj. Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).

ELISA SPIROPALI

Nga korriku 2024 znj. Spiropali ka mbajtur postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X. Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021. Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019.

Burimi: Shqiptarja.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *