Pas pak minutash kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e blertë të stadiumit “Ennio Tardini” të Parmës të Italisë ku do të zhvillojë ndeshjen e parë miqësore të muajit mars atë ndaj Kilit.
Të gjithë janë kurioz për të parë se si do të rreshtohen kuqezinjtë në këtë përballje, por me sa duket braziliani Sylvinho nuk ka ndërmend të ndryshojë dhe të heqë dorë nga formacioni që na çoi deri në finalet e europianit ose pothuajse, pasi në sulm është një debutues me trajnerin Brazilian dhe një i rikthyer nën ngjyrat kuqezi.
Në portë pritet të jetë Strakosha, ndërkohë që reparti i mbrojtjes mbetet ai me Gjimshitin dhe Mihajn në qendër në mungesë të Ismajlit, ndërkohë që nga krahët janë po ata, Mitaj dhe Hysaj. Përpara tyre do të jetë një tjetër dyshe e pandryshuar me Ramadanin dhe Asllanin, për të kaluar tek treshja përpara që janë Asani, Seferi dhe në majë të sulmit i rikthyer Manaj.